Site icon Telegrafi

Konjufca: Thaçi ka kidnapuar dialogun me Serbinë, Kuvendi duhet t’i vendosë vijat e kuqe

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një konferencë për media ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kundërshton udhëheqjen e dialogut me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi.

Konjufca ngriti një paralele në mes të dialogut me Serbinë dhe Gjykatës Speciale.

“Thaçi mendon që duke bërë kompromise me Serbinë, ndoshta për pak muaj do ta shtyjë Gjykatën Speciale”, potencoi Konjufca.

Ai po ashtu tha se presidenti Thaçi është politikan që vrapon të jetë në krye të dialogut, raporton Telegrafi.

“Secilit politikan që do t’i ofrohej me udhëheq dialogun me Serbinë, me siguri se do të mendonte disa herë dhe do të hezitonte, është vetëm një politikan që po vrapon me qenë në krye. Kjo tregon se presidenti Thaçi dialogun e ka diçka jetike, mirëpo ne mendojmë se kjo është jetike vetëm për karrierën e tij personale”, tha ai.

Konjufca po ashtu tha se Serbia në mes Kosovës dhe BE-së, duhet ta zgjedhë BE-në dhe Kosovën ta lë rehat.

“… Serbisë duhet t’i themi që ta zgjedh vetëm një, ta zgjedh BE dhe ta lej rehat Kosovën. Kurse presidenti jonë sikur po ia mundëson që Serbia t’i zgjedh të dyja. Pozicioni i pranueshëm do të jetë që Serbia ta zgjedh BE. Ky do të jetë pozicion i pranueshëm edhe nga subjektet parlamentare”, ka thënë Konjufca.

Ai tha se Thaçi ka kidnapuar dialogun, pasi Qeveria ka qenë ajo që gjithnjë ka udhëhequr me dialogun.

“E shpalli vetveten drejtues të dialogut. Me sa e dimë ne në Kosovë nuk ka ndodh kurrfarë ndërrimi i kompetencave të presidentit. Pra, Thaçi ka ato kompetenca që ka pas edhe Jahjaga”, tha ai.

Sipas tij, parlamenti duhet t’ia vendos vijat e kuqe Hashim Thaçit, pasi ai i hoqi në raport me Serbinë.

“Tash kur presidenti i hoqi vijat e kuqe me Serbinë, Parlamenti duhet t’ia  vendosë vijat e kuqe Hashim Thaçit”, tha Konjufca, duke komentuar deklarimin e presidentit Thaçi që dialogu me Serbinë nuk ka vija të kuqe.

Ai tha se po ashtu duhet të vendoset vijë e kuqe edhe sa i përket shkëmbimit të territoreve.

“Vija e dytë e kuqe duhej të ishte, kurrfarë shkëmbimi territorial mes Kosovës dhe Serbisë.  Nëse Kuvendi ia parashtron këto vija të kuqe presidentit Thaçit atëherë do të ishim të sigurt që Kosova nuk do të cenohej nga asgjë. Shkojnë atje dhe kthehen sikur gjithçka në tavolinë është në rregull. Kjo na ka shqetësuar shumë kur presidenti del dhe tregon që gjithçka në tavolinë po bisedohet”, shtoi tutje ai.

Deklarimin e Thaçit se konflikti me Serbinë rrezikon t’i ngjasojë gjendjes së Palestinës, Konjufca e ka quajtur kërcënim të popullit.

“Thaçi ka thënë se nëse Kosova nuk bën kompromis do të bëhet si rasti i Palestinës. Ne i bëjmë thirrje presidentit të mos kërcënoj popullin e Kosovës, duke marr shembuj të tillë”, u shpreh tutje ai.

Konjufca tha se qëllimi i Thaçit është që t’i ‘fasadojë’ koncesionet me Serbinë. /Telegrafi/

Exit mobile version