Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe dhe vendosi lule pranë lapidarit të të rënëve në Bukosh të Suharekës.
Në oborrin e shkollës së fshatit Bukosh, më 3 maj të vitit 1999, policia serbe kishte vrarë dhe masakruar 25 shqiptarë të këtij fshati dhe fshatrave tjera të komunës së Suharekës.
Në prani të familjarëve të të rënëve, kryekuvendari Konjufca tha se martirët dhe dëshmorët do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë.
“Martirët dhe dëshmorët kanë rënë që këta fëmijë, që po shoh sot këtu, të jetojnë të lirë”, tha Konjufca, duke shtuar se nuk do të reshtin së kërkuari drejtësi për të gjitha masakrat e kryera anekënd vendit.
“Secili zyrtar institucional, që e përfaqëson shtetin e Kosovës, duhet ta ketë obligim që prej mëngjesit deri në fund të ditës të kërkojë drejtësi. Se dhimbja nuk do të kalojë kurrë, por edhe martirët nuk mund të prehen të qetë nëse kriminelët vazhdojnë të jenë të lirë. Duhet të ketë drejtësi për familjet e juaja, sepse keni dhënë më të dashurit për lirinë e Kosovës”, tha ai.
Konjufca bëri homazhe edhe te shtatorja e heroit Besim Ndreca, në Suharekë, në 26-vjetorin e rënies së tij heroike.
Ai me këtë rast tha se akti heroik i Besim Ndrecës, më 3 maj të vitit 1995, është frymëzim për ngjarjet e mëvonshme, si protestat e studentëve dhe rreshtimi i shumë të rinjve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo tregon se populli shqiptar historikisht nuk është dorëzuar dhe ia ka kthyer pushkën okupatorit serb, duke dhënë edhe gjënë më të shtrenjtë siç është jeta”, tha ndër të tjera kryekuvendari Konjufca.