Site icon Telegrafi

Konjufca takon Lajçakun, thotë se me Serbinë nuk do të negociojnë për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në njoftim thuhet se në takim u bisedua për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Kryekuvendari Konjufca u shpreh se dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe përsëriti qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.

“Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë”, citohet të ketë thënë Konjufca.

Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi angazhimet parlamentare lidhur me miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së, duke ritheksuar se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version