Telegrafi

Konjufca sot në Gjermani, Kurti gjatë javës në Francë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani ku do të takohet me kryetarin e Parlamentit të Gjermanisë, Wolfgang Schauble, ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të jetë për një vizitë në Francë, ku do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Në një njoftim të shkurtët të Kuvendit të Kosovës thuhet se kryetari Glauk Konjufca, sot po qëndron në vizitë zyrtare në Gjermani me ftesë të kryetarit të Parlamentit Gjerman, Wolfgang Schauble.

“Gjatë kësaj vizite, kryekuvendari Konjufca do të ketë takime në Bundestag me homologun e tij, Wolfgang  Schauble, si dhe me zyrtarë të tjerë të shtetit gjerman”, thuhet në njoftim.​

Ndërkaq, një ditë më parë kryeministri Albin Kurti, priti në takim këshilltaren politike për Ballkan të presidentit francez Emmanuel Macron, Isabelle Dumont, ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, këshilltarin në Drejtorinë e Evropës Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Guillaume Rousson, dhe këshilltarin e parë në ambasadë, Cyprien François.

Siç njoftohet, gjatë takimit u diskutua edhe për vizitën e fundit të kryeministrit në Bruksel dhe për siç e quan Kurti kapitullin e ri të dialogut me Serbinë.

“Temat ishin zhvillimet politike në Kosovë, rajon e në botë, qeverisja e mirë në Kosovë, integrimet evropiane, si dhe bashkëpunimi bilateral e thellimi i marrëdhënieve në mes Kosovës e Francës”, thuhet në komunikatë.

Sipas Zyrës së kryeministrit, ky takim u mbajt në përgatitje të vizitës së Kurtit në Paris gjatë javës së ardhshme, ku do të zhvillohet takimi i parë me Presidentin Macron.

Ndërkaq, ende nuk ka pajtueshmëri për agjendën e takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Megjithëse, parimisht është pajtuar 25 korriku si datë, në partinë në pushtet thonë se ajo duhet të konfirmohet pasi në takim ka pasur dallime mbi vijueshmërinë e diskutimeve.

Ndërsa, njohësit e procesit të dialogut thonë se para takimit Kurti-Vuçiq duhet të ketë një takim të rangut më të ulët për përgatitjen e këtij takimi dhe pajtueshmërinë e kornizës së negociatave.

Të martën, më 15 qershor u takuan për herë të parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti-Vuçiq.

Në Bruksel kryeministri Kurti i paraqiti katër propozime për vijueshmërinë e dialogut, por të njëjtat u refuzuan nga pala serbe. /Telegrafi/