Telegrafi

Konjufca: SHBA dhe BE t’i reagojnë Serbisë për ndalimin e kosovarëve

Autoritetet e Serbisë po vazhdojnë me praktikën e ndalimit dhe arrestimit të shtetasve kosovarë. I fundit që u arrestua ishte shtetasi kosovar Nezir Mehmetaj, për arrestimin e të cilit autoritetet serbe nuk dhanë ndonjë arsye.

Të premten, autoritetet e Serbisë ia kanë vazhduar paraburgimin Nezir Mehmetajt.

Për këtë ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca ka kërkuar që SHBA dhe BE të reagojnë ndaj Serbisë.

“Autoritetet serbe i kanë vazhduar paraburgimin kosovarit Nezir Mehmetaj i cili fillimisht është ndaluar në Merdare derisa po kalonte në janar të 2020-ës. Ministria e Jashtme e Kosovës thërret partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në që të kërkojnë nga Serbia ta ndalë këtë praktikë”, ka shkruar Konjufca në Twitter.

Mehmetaj është arrestuar dy muaj më parë në Serbi derisa po kthehej në Kosovë, nën dyshimet për krime të luftës.

Ai jeton në Zvicër, por ishte me pushime në Kosovë. Ditën kur u arrestua ai kishte dërguar në Beograd nënën e tij për shërim. /Telegrafi/