Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se heqja e dinarit si valutë në Kosovë, i ndihmon integrimit të komunitetit serb.
Në një deklarim për media të enjten, ai ka deklaruar se përmes sjelljes së dinarit, Beogradi dhe Lista Serbia kanë manipuluar çdo familje të këtij komuniteti në Kosovë.
Kryeparlamentari më tej është shprehur se dinari nuk ka qenë thjesht valutë ose monedhë.
“Dinari ka qenë instrument të cilin dikush e ka sjell fizikisht prej Beogradit, me kombi, dhe aty disa zyrtarë të Vuciqit përmes Listës Serbe, kanë ardhur te shtëpia t’i kanë dhënë paret, të kanë këqyrë pak mrrolshëm dhe e kanë kërkuar besimin tënd për Listën Serbe. Kjo është arsyeja fizike e shpërndarjes së dinarit”.
Sipas tij, çështja nuk ka të bëjë me betejën e mirëqenies, por “manipulim fizik që me iu shku njerëzve në shtëpi dhe me i pyet se me kë janë politikisht”.
“Nuk është thjeshtë beteja e mirëqenies dhe pensioneve. Është ushtrimi praktik i Listës Serbe dhe Beogradit te secila familje. Për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që shteti jonë të ndërhyjë. Kjo i ndihmon integrimit sepse e godet pikërisht manipulimin fizik që me u shku njerëzve në familje me iu kërku llogari e me i pyet se me kë janë politikisht”, ka thënë Konjufca. /Telegrafi/