Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila po mbahet, ka thënë se është tronditëse ndarja e 500 mijë eurove për shënimin e përvjetorit të festës së Pavarësisë së Kosovës.
“Kjo Qeveri nuk e dinë kur është Pavarësia apo qysh është puna. Me sa e di unë data e Pavarësisë nuk lun, është me 17 shkurt. Qysh është e mundshme që shpenzimet për Pavarësinë të shpenzohen nga ky fond por me lëvizje të shumta”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shtuar se një emblemë e thjeshtë është pagu së paku 5 euro.
“Kudo shkoni këqyrni ajo emblemë kushton 50 cent deri 1 euro. Ajo emblemë veç nëse është e veshur me ari se ndryshe s’ka kuptim ky çmim. Këtu Qeveria merr vendim të kënaqet ndonjë militantë përmes tenderit, e të përfitoj në shpinë të ngjarjes për Pavarësinë e Kosovës, kjo është e gërditshme”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka përmendur edhe ndarjen e parave për presidentin Hashim Thaçi.
“Keni dhanë shpenzime të paparashikuara për presidentin. Me dhanë qindra mijëra euro për lobimin personal të presidentit, a ju ka qit kusht ai për koalicion a çka? Çka na intereson neve lobimi për figurën personale të Hashim Thaçit? Pse me pagu taksapaguesit për këtë. 1.2 milion euro qytetarët kanë paguar për presidentin mu en ai poshtë e përpjetë jo me lobu për figurën e tij me libra personal, por edhe me lobu për ndarje të Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Konjufca përmendeni edhe korporatën e Mijëvjeçarit, duke thënë se kjo korporatë nuk ka bërë asgjë pavarësisht që janë ndarë 200 mijë euro për këtë projekt. /Telegrafi/