Site icon Telegrafi

Konjufca, opozitës: Në zgjedhje shkojmë kur të doni

Pas rreth 3 orësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar seancën plenare, e cila paraprakisht u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Në nisje të seancës, kryeparlamentari Glauk Konjufca dënoi dhunën dhe tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar që të heqë dorë nga fjalimi i tij, që u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike.

“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme, përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne”, tha Konjufca duke shtuar se “nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”.

Konjufca, pas kërkesës që të tejkalohet situata e krijuar sot, foli edhe për zgjedhje.

Ai, ndër të tjera opozitës i tha se “në zgjedhje shkojmë kur do të doni”.

“Në zgjedhje shkojmë kur të doni. Bile, bile mendoj që nëse kuvendi do ta realizonte këtë agjendën veç sot që e kemi, qeverisë shumë do t’ia rrisnit përnjëmend për me shku në zgjedhje”, tha Konjufca.

Tutje, ai tha se përmbushja e agjendës së sotme prej 31 pikave do t’i kontribuonte shkuarjes në zgjedhje./Telegrafi/

Exit mobile version