Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se gjatë negociatave për marrëveshjen e koalicionit, Vetëvendosja nuk ia kërkojë Lidhjes Demokratike të Kosovës 7 ministri në këmbim të postit të presidentit.
“Nuk ia kemi kërkuar LDK-së 7 ministri në këmbim të postit të presidentit”, është shprehur Konjufca.
Ndërkohë Konjufca ka thënë se propozimi i VV-së ka qenë t’i ndajnë ministritë.
“Propozimi ynë ka qenë që ministritë të ndahen nga pesë. Ne ta marrim Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe posti i kryeministrit nuk diskutohet”, ka thënë Konjufca.
Gjithashtu ai tha se LDK-ja e kushtëzoi marrëveshjen me postin e presidentit.
“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”, është shprehur Konjufca, në emisionin Pressing të T7.
Tutje, Konjufca tha se VV’ja nuk e priste këtë kushtëzim.
“Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”, ka thënë Konjufca.
“Pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur”, shtoi Konjufca.