Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se partia e tij nuk ka ambicie për të marrë postin e Presidentit të shtetit.
Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se bashkëpunimi i LDK deri te Presidenti ka qenë shumë konstruktiv.
Ai ka thënë se çështjen e Presidentit nuk e ka hapur Vetëvendosje por LDK-ja, përcjell Telegrafi.
“Nuk është e vërtetë se Vetëvendosje po kërkon postin e Presidentit. Edhe Kryeministrin ne nuk po e kërkojmë. Atë e kanë vendosur qytetarët. Ne vetëm po kërkojmë kritere”.
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes thotë se kjo parti që nga viti 2014 ka qenë e përcaktuar për një koalicion me LDK-në.
“Gabimi i LDK-së ka qenë “Zajednica”. Unë jam i lumtur që është anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Edhe LDK është gëzuar për një veprim të tillë nga Kushtetuesja”.
Konjufca thotë se parulla “Isë Isë argat i Serbisë” nuk ka qenë qëndrim politik i Vetëvendosjes, por një parullë e një protestuesi./Telegrafi/