Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kërkuar që të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë së Kosovës, kjo pas raportimit se në Zyrën e Presidentit është duke punuar Branislav Nikoliq.
Konjufca në Facebook shkroi se punësimi i një pjesëtari të Shërbimit Informativ Serb (BIA), përbën rrezikim të sigurisë kombëtare.
Ai ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj duhet të ftojë Këshillin e Sigurisë, por ka pyetur se mos frikësohet nga presidenti Hashim Thaçi.
Shkrimi i plotë i Konjufcës
Janë krijuar kushtet që të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sepse në zyrën e Presidentit të shtetit është punësuar Branisllav Nikoliç. Sipas mediave, ky njeri është pjesëtar i shërbimit shtetëror informativ serb. Kjo përbën pa dyshim rrezikim serioz të sigurisë kombëtare. Sipas kushtetutës sonë (neni 94, pika 5, lidhur me nenin 127, pika 2) Këshillin e Sigurisë e kryeson kryeministri i vendit. Çka ka kryeministri që nuk e thërret mbledhjen? Mos ndoshta frikësohet nga presidenti që ia përmend bodrumin e Radojčić-it ku u themelua qeveria e tanishme? Çfarë çifti i tmerrshëm Thaçi-Haradinaj: reciprokisht të shantazhueshëm përmes veglave të Vučić-it. /Telegrafi/