Site icon Telegrafi

​Konjufca në Athinë: Problemet rajonale përmirësohen duke avancuar në procesin e anëtarësimit në BE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë sot në Sesionin e nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), mbajtur ne Parlamentin e Greqisë, në Athinë.

Konjufca, në kuadër të diskutimit në seancës plenare, u adresua edhe me një fjalim me temë diskutimi mbi: “Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm për mjedisin. Ndikimi i krizës në Evropën Juglindore: a) siguria e furnizimit me energji dhe b) zinxhiri agroushqimor”.

Duke theksuar rëndësinë vendimtare të kësaj teme për të gjithë rajonin, kryetari Konjufca u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të SEECP-së që të tregojnë solidaritet dhe bashkëpunim në mënyrë që të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat e ardhshme.

Konjufca theksoi domosdoshmërinë e avancimit të bashkëpunimit në mes vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së në nivel bilateral dhe multilateral, në kontekst të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimit të plotë të rajonit në BE, si dhe zhvillimeve aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë.

Kryetari Konjufca gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi si parakusht për një stabilitet afatgjatë politik e ekonomik të rajonit dhe më gjerë.

Duke e dënuar invazionin e Rusisë mbi Ukrainën, kryetari Konjufca theksoi se “duhet t’u qëndrojmë besnikë vlerave evropiane dhe vetëm me një partneritet të palëkundur me NATO-n dhe SHBA-në, mund ta mbrojmë rajonin tonë nga kërcënimet serioze destabilizuese që mund të çojnë në ndryshime thelbësore në rajon dhe në rendin ndërkombëtar”.

“Problemet rajonale mund të përmirësohen duke avancuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve tona. Mbështetja e të gjitha vendeve, paraprirë nga njohja e Kosovës, duhet parë si një investim strategjik për të ardhmen, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit por edhe për zhvillimin tonë të përbashkët,” tha Konjufca.

Konjufca përmbylli fjalimin e tij duke i ftuar përfaqësuesit e shteteve anëtare të SEECP-së dhe qeveritë e tyre që të përkrahin Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, statusin e kandidatit në BE, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Ndryshe, dje në takimet e komisioneve punuese, u vendos që Kosova të udhëheqë me dy komisione të Asamblesë, të cilat do të mbahen në Prishtinë vitin e ardhshëm – Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkime Shkencore dhe Shkencë, si dhe Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë.

Sesioni i nëntë i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore përfundoi me miratimin e Deklaratës Përfundimtare, e cila angazhoi pjesëmarrësit që të punojnë së bashku për të forcuar mekanizmat dhe institucionet rajonale për t’iu përgjigjur krizës mjedisore në rritje brenda ekonomive të qëndrueshme.

Gjithashtu, pjesëmarrësit e SEECP-së dënuan pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe shprehën solidaritetin me popullin dhe qeverinë e Ukrainës.

Exit mobile version