Telegrafi

Konjufca: Mund të shkojmë në Kuvend të enjten pa marrëveshje

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka dhënë opsionet se si do të veprojë Vetëvendosje nëse deri më 26 dhjetor nuk arrihet marrëveshje për koalicion me LDK-në.

Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se nëse deri të enjten në ora 15:00 nuk ka marrëveshje me LDK-në do të ketë vetëm betim të deputetëve.

Ai ka thënë se nuk e përjashtojnë edhe opsionin për të propozuar kryetarin e Kuvendit që u takon me Kushtetutë, pavarësisht se, sipas tij, ka shumë deputetë që mund ta votojnë, e mjaft të tjerë që të mos e votojnë.

“Ne garantojmë që nëse nuk kemi marrëveshje me LDK-në nuk do të veprojmë si PAN-i në vitin 2014 duke shtyrë konstituimin e institucioneve për shtatë muaj”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Konjufca ka thënë se megjithatë është jetike për Vetëvendosjen që të mos shkojë në Kuvend me 26 dhjetorë pa marrëveshje koalicioni me LDK-në.

Lexo po ashtu Konjufca: Është e tepërt, LDK po i kërkon VV-së më shumë se që i ka kërkuar PDK-së

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka thënë se nuk do të ishte moment i mirë për Kosovën nëse Vetëvendosje shkon në Kuvend pa marrëveshje koalicioni edhe nëse arrin të zgjedh kryetarin e Kuvendit./Telegrafi/