Site icon Telegrafi

Konjufca ia liron udhëheqjen e seancës partive opozitare, deputetët dalin nga salla

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ia ka liruar vendin për të udhëhequr me seancën partive opozitare, pas kritikave të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Pas kritikave të deputetes, Konjufca tha se pajtohet plotësisht me deputeten Musliu, raporton Telegrafi.

“Pajtohem plotësisht me kërkesën tuaj. Seancën pra ta udhëheq ose nënkryetari i Kuvendit i PDK-së, nga ana e juaj ose i LDK-së”, tha Konjufca.

Pas kësaj, ende nuk është e qartë nëse do të vazhdojë seanca, apo njëri nga nënkryetarët e kuvendit nga radhët e opozitës do ta mbyll, për të vazhduar në ndonjë ditë tjetër.

Ndryshe, deputetja Musliu gjatë fjalimit të saj në Kuvend tha se as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufcës nuk është krejt i pafajshëm.

“Kryetar nuk jeni krejt i pafajshëm krejt në këtë ngjarje sepse nuk jeni pa fuqi politike brenda subjektit tuaj politik… unë mendoj se edhe për ju tani do të ishte mirë ose t’iu bëni thirrje publike deputetëve të partisë suaj që të jenë këtu dhe t’i përkrahin kërkesat e Policisë ose ta lironi karrigen dhe t’ia lironi një nënkryetari ta udhëheq seancën…”, tha ajo.

Ndryshe, seanca e jashtëzakonshme ishte thirrur me vetëm një pikë të rendit të ditës, rezolutën e propozuar nga PDK dhe përkrahur nga partitë opozitare lidhur me mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës.

Para nisjes së seancës, Grupi Parlamentari i Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media thanë se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë. /Telegrafi/

Exit mobile version