Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot bëri homazhe te lapidarët e martirëve në fshatrat e Pejës, Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, ku më 14 maj të vitit 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kishin vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë shqiptarë të Kosovës.
Sipas një njoftimi për media, në fshatin Qyshk kryetari Konjufca, pasi vendosi lule te lapidari me emrat e 44 të vrarëve, tha se shteti serb 22 vjet më parë ka kryer aktet e gjenocidit, si në këtë fshat, ashtu edhe në fshatrat dhe lokalitetet tjera gjithandej nëpër Kosovë.
Tutje në njoftim thuhet se për këto masakra, theksoi kryekuvendari Konjufca, deri më tani nuk ka pasur drejtësi dhe përsëriti thirrjen për angazhim institucional që sa më parë të drejtësia të vihet në vend.
“Familjarët e martirëve tanimë 22 vjet kanë jetuar me peshën e rëndë të mungesës së drejtësisë. Prandaj, është detyrë e institucioneve që sa më parë t’i mbledhim të gjitha provat për këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato të jenë pjesë e ndërtimit të argumenteve për padinë, e cila do t’i bëhet Serbisë për gjenocid”, tha Konjufca.
Pas Qyshkut,Konjufca bëri homazhe dhe vendosi lule edhe te varrezat e 14 të rënëve në fshatrat Pavlan dhe Zahaq, ku para familjarëve të tyre tha se që nga shkurti i vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999, Serbia ka kryer në Kosovë mbi 300 masakra, duke vrarë mbi 14 mijë shqiptarë të Kosovës.
Ai tha se drejtësia e ka vlerën e njëjtë po aq sa edhe liria, prandaj ata asnjëherë nuk mund të jenë të qetë për sa kohë kriminelët, që i kanë shkaktuar këto masakra, të jenë të lirë.
“Ne e dimë që ky është çmimi i lirisë, sepse pa gjak dhe pa luftën çlirimtare të UÇK-së nuk do të ishte arritur liria. Por, po ashtu e vlefshme sa liria është edhe drejtësia. Dhe për sa kohë kriminelët lëvizin të lirë, as zemrat, e as shpirtrat e familjarëve dhe martirëve nuk mund të jenë të qetë”, tha Konjufca.
Ndryshe, Konjufca bëri homazhe edhe në varrezat e fshatit Llabjan, ku prehen trupat e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati. /Telegrafi/