Telegrafi

Konjufca gëzohet për njohjen nga Xhamajka

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i lumtur me njohjen që erdhi sot nga shteti xhamajkjan.

Konjufca ka thënë se njohja është një moment i veçantë i miqësisë në mes Kosovës dhe Xhamajkës, me të cilin shtet ai kërkon thellimin e miqësisë, shkruan Reporteri.net.

“Shpreh mirënjohjen më të lartë qeverisë dhe popullit të Xhamajkës për vendimin miqësor e shumë të mirëpritur për njohjen e Republikës së Kosovës. Njohja e Republikës së Kosovës është një moment i veçantë i miqësisë në mes të vendeve tona. Qeveria e Republikës së Kosovës do të përcjellë, përmes kanaleve diplomatike, gatishmërinë për të iniciuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve tona dhe për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Konjfuca.

Lexo po ashtu Xhamajka njeh Pavarësinë e Kosovës

Xhamajka u bë sot shteti i 117 që e njeh shtetësinë e Kosovës, e që erdhi pas një pauze të gjatë, pasi njohja e fundit datonte në vitin 2018.

Më herët, zyrtarët e institucioneve të Kosovës kanë thënë se në tre vjetët e fundit, Kosova është përballur me një fushatë të paprecedentë diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera, për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. /Telegrafi/