Telegrafi

Konjufca: Esenciale sot mbetet vetëm ruajtja e integritetit territorial të Kosovës

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka përsëritur qëndrimin se partia e tij vazhdon të mbetet në qëndrimin e saj, kundër votimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Sot jemi para një vendimi të rëndësishëm. Të justifikojmë gabimet e Murat Mehës apo të shpëtojmë territorin e Kosovës. Për mendimin tim, vendimi është shumë i lehtë. Kosova duhet të shpëtojë territorin e vet. Për mua esenciale sot mbetet vetëm ruajtja e integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ndër tjerash Konjufca, para gazetarëve, pak para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Ai ka folur edhe për sjelljen e nënshkrimeve të peticionit në ambientet e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht në sallën ku pritet të zhvillohet seanca.

“I kemi sjellë nënshkrimet e peticioneve për t’ia përkujtuar kryeministrit Haradinaj se me çfarë premtimesh kishte ardhur në pushtet. Bëhet fjalë për një peticion me të cilin thirrej që të hidhej poshtë ky demarkacion, pjesë e të cilit ishte edhe partia e Haradinajt”. /Telegrafi/