Site icon Telegrafi

Konjufca: Deklaratat e Hotit mund ta dëmtojnë bashkëpunimin e VV-së me LDK-në

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Glauk Konjufca, i ka cilësuar si të dëmshme deklaratat e Avdullah Hotit për VV-në.

Sipas tij, këto deklarata të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, e kanë degraduar rrugën e mirë të bashkëpunimit në mes LAA dhe VV-së.

“Konsiderimi i njëjtë i PDK-së me VV-në, nga ana e koalicionit LAA, nuk i kontribuon bashkëpunimit në mes nesh. Ka qenë një deklaratë naive, që e dëmton bashkëpunimin e ardhshëm”, ka theksuar Konjufca.

Ndryshe, Hoti ka thënë se Vetëvendosje fillimisht duhet të kërkojë falje për të gjitha veprimet e dhunshme që ka bërë, gjuajtjen e gazit lotsjellës e koktej molotovit, etj, e pastaj do të lëvizin përpara për një bashkëpunim me ta.

Edhe më e vështirë për t’u arritur ky koalicion mbetet mosgatishmëria e LDK-së për të hequr dorë nga temat e mëdha, siç janë demarkacioni, dialogu me Serbinë, që janë temat kryesore të cilat janë kundërshtuar fuqishëm nga lëvizja Vetëvendosje.

“Të kërkojnë falje qytetarëve të vendit, LDK-së e kryeministrit. Kryeministri është sulmuar në familje në shtëpinë e tij. Është gjuajtur me koktej. Është sulmuar vetura e tij. S’ka qenë sulm me vezë apo sulm simbolik, por ka qenë sulm që ka pas mundësi të shkaktojë vdekjen e kryeministrit dhe stafit të tij”, pati thënë Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version