Telegrafi

Konjufca: Deklarata e Hazirit për kufijtë është skandal i madh, për të mos thënë krim i jashtëzakonshëm

Anëtari i Kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka quajtur skandal të madh deklaratën e Lutfi Hazirit për shkëmbime territoresh me Serbinë.

Konjufca në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është shumë e rrezikshme kur zyrtarët e shtetit shtyhen cili po jep më shumë territor.

“Skandal i madh për të mos thënë krim i jashtëzakonshëm që një zyrtarë i lartë i shtetit që është edhe nënkryetar i njërës nga partive më të mëdha të del e të thotë se çfarë duhet të jep Kosova. Është e pafalshme ajo që e ka thënë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-ministri i Jashtëm thotë se Vuçiqi po pret oferta nga politikanët e Kosovës se kush po i jep më shumë territor.

“Kur t’i ofron territor bie relacioni i kompromisit. Atëherë vjen në pyetje se kush është më i fortë. Ne nuk e kemi fituar luftën pse jemi tre herë më të fortë së Serbia por pse kemi pasur të drejtë në kërkesat”.

Lexo po ashtu Haziri: Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës, Leposaviqi dhe 17 fshatra të veriut të kalojnë në Serbi

Konjufca thotë se disa politikanë në Kosovë po e konsiderojnë territorin e vendit sikurse “bahçja e babës”.

“Ne kur shtyhemi se kush po jep më shumë fshatra, atëherë serbët qeshin me ne. Kjo jo vetëm se nuk është serioze por është edhe shumë e rrezikshme”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca./Telegrafi/