Telegrafi

Konjufca bën homazhe në Mejë: Nuk kam fare shpresë që Serbia do ta hapë territorin e saj për gjetjen e personave të zhdukur

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe disa ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe sot në Mejë, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës.

Para mediave, Konjufca ka thënë se në Mejë është bërë masakra më e madhe në Kosovë dhe se është “dëshmia më e pakontestueshme e gjenocidit që pushtuesi serb ka bërë mbi popullin tonë”.

“Kjo masakër më së miri tregon se okupatori serb i vrau të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, nëse ishin gra, burra, fëmijë, myslimanë apo katolikë. Për këtë arsye, kjo është ndër plagët më të mëdha të popullit tonë, por fatkeqësia është që kjo është një plagë e hapur ende”.

“Ende nuk ka drejtësi as për këtë masakër as për të tjerat. Familjet po vuajnë. Janë mijëra familje që po presin për më të dashurit e tyre. Nuk dinë për fatin e tyre, Por një gjë dihet saktë që Serbia është përgjegjëse”, është shprehur ai, transmeton Telegrafi.

Mes tjerash, ka thënë se institucionet duhet të bëhen bashkë me familjet e të zhdukurve që t’i bëjnë presion Serbisë.

“Sa po e shoh unë, nuk kam fare shpresë që Serbia do ta hapë territorin e saj për gjetjen e personave të zhdukur”. /Telegrafi/