Kongresisti amerikan, Eliot Engel, po qëndron për vizitë në Serbi. Ai u takua të mërkurën me nënkryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Marinkoviq dhe një grup deputetësh serbë.
Engel pritet të takojë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Eliot Engel është kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe ka qenë i përfshirë në zhvillimet në Ballkan që nga fillimi i viteve të 90-ta.
Presidenti i Serbisë ishte takuar më parë me Engel, gjatë Konferencës së 55-të Sigurisë në Munih, në muajin shkurt. Me atë rast, fokusi i bisedës ishte rasti ende i pazgjidhur i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi. /Rel/