Telegrafi

Kongresisti amerikan: SHBA nuk duhet të jetë ndërmjetës neutral në bisedimet për një marrëveshje Kosovë-Serbi

Një nga bashkëkryetarët e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, ligjvënësi Ritchie Torres, thotë se Uashingtoni nuk duhet të veprojë sikur të jenë një ndërmjetës neutral, në kushtet kur Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia i Rusisë.

Për kongresistin amerikan sfida reale për përmbylljen e dialogut mes dy vendeve, mbetet afërsia e Beogradit me Moskën.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Torres është shprehur pesimisti për arritjen e një marrëveshjeje  përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam pesimist sepse mendoj se është e rëndësishme që të kuptojmë kontekstin. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të veprojnë sikur të jenë një ndërmjetës neutral. Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia është një aleat i Rusisë, dhe kjo është një dinamikë që ne duhet ta pranojmë sikurse është. Duhet të pranojmë se Serbia është një nga vendet e pakta që është besnike ndaj Rusisë, në një kohë kur Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka sulmuar shtetin sovran të Ukrainës, dhe kjo për mua është e papranueshme. Ky për mua është një problem. Ndaj unë shoh si një sfidë reale për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, afërsinë e Serbisë me Rusinë”, ka thënë Torres.

Kongresisti amerikan ka mbështetur nevojën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

“Kosova, për mua është shtet i pavarur dhe është koha që bota ta njohë pavarësinë e Kosovës. Është koha që çdo vend i NATO-s dhe çdo vend i Bashkimit Evropian të njohë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova të mirëpritet në familjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndaj unë jam plotësisht mbështetës i njohjes ndërkombëtare të saj”, ka thënë kongresisti Torres.

Ndryshe, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksadar Vuçiq nga të cilët ka kërkuar intensifikim të dialogut dhe arritjen e shpejtë të marrëveshjes me njohje reciproke.

Kryeministri Kurti ka thënë të dielën se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. /Telegrafi/