Telegrafi

Kongresi amerikan publikon faturat e vitit 2018 – delegacionet kosovare qëndruan në hotelet luksoze të Trumpit gjatë vizitave në SHBA

Arabia Saudite dhe Kina ishin ndër 20 qeveritë e huaja që shpenzuan të paktën 7.8 milionë dollarë në total në pronat e Donald Trumpit gjatë kohës sa ai ishte president i SHBA-së, sipas një raporti të publikuar nga Kongresi amerikan.

Raporti prej 156 faqesh zbuloi se krahas Kinës dhe Arabisë Saudite, entitete të lidhura me shtetin nga Kongoja, Malajzia, Shqipëria dhe Kosova shpenzonin para në hotelet dhe apartamentet e Trumpit. Hetimi mbështetet në dokumentet e marra nga Mazars, ish-firma e kontabilitetit të republikanit, raporton financialtimes.

Gjatë administratës Trump, Kosova u përpoq të përdorte mbështetjen e SHBA-së në mënyrë që të fitonte njohje më të madhe ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Serbia fqinje.

Të dhënat e Mazars tregojnë se disa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, duke përfshirë zëvendëskryeministrin e atëhershëm dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli, kanë qëndruar në hotelin Trump International në Uashington, DC, në korrik të vitit 2018, duke shpenzuar afro 5000 dollarë për akomodim.

Ai shoqërohej nga dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, duke përfshirë Jetlir Zyberajn, këshilltarin e Pacollit.

Një postim në rrjetet sociale tregon se afërsisht dy vjet më vonë, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi dhe ministrja e Jashtme e atëhershme e Kosovës, Meliza Haradinaj u takuan me ambasadorin amerikan, Richard Grenell në Trump Hotel International në Uashington, D.C., në vitin 2020 ose afërsisht në kohën kur Serbia dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen e normalizimit ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Komiteti nuk ka marrë asnjë dokumente nga Mazars që tregojnë nëse zyrtarët kosovarë kanë bërë apo jo pagesa për subjektet në pronësi të Trumpit gjatë kësaj kohe.

Postimet në mediat sociale tregojnë se zyrtarë të tjerë kosovarë qëndruan sërish në pronat e Trumpit, por Mazars nuk i paraqiti Komitetit asnjë dokument në lidhje me ato vizita shkruan në raport të cilin e ka publikuar Financial Times.

Kosova  nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Serbinë në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, ku prezent ishte edhe presidenti i atëhershëm Trump. /Telegrafi/