Telegrafi

Konflikti Messi-Barca merr drejtim tjetër pas mosshfaqjes për test, klubi i ka dy opsione

Lionel Messi (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Lionel Messi e ka thelluar ‘konfliktin’ e tij me Barcelonën duke mos u shfaqur mëngjesin e të dielës për t’iu nënshtruar testit për coronavirus.

Deri më tani argjentinasi e ka zhvilluar betejën e tij me katalunasit përmes avokateve dhe fakseve, duke e njoftuar klubin se dëshiron të largohet, por Blaugranët ia kanë bërë me dije se është nën kontratë dhe nuk është në shitje.

Ishte spekuluar se Messi nuk do të shfaqej të dielën për testin RT-PCR dhe kështu ndodhi. Të gjithë lojtarët e ekipit të parë ishin prezentë në ‘La Ciudad Deportiva Joan Gamper’ për t’iu nënshtruar testit.

(Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Testimi i Messit ishte caktuar për orën 10:15, por ai nuk u shfaq. Miku i tij i ngushtë, Luis Suarez, u paraqit në orën 10:05 dhe dukej shumë serioz teksa kaloi pranë gazetarëve.

Duke qenë se, sipas klubit, 33-vjeçari është nën kontratë, futbollisti duhet t’i zbatojë të gjitha obligimet duke përfshirë edhe testimin. Derisa ekipi i avokatëve të tij konsideron se pas kërkesës për t’u larguar, lojtari nuk është më i obliguar që t’i zbatojë detyrimet.

 (Foto: Manu Fernandez/Pool via Getty Images/Guliver)

Me mosshfaqjen për testim, automatikisht ai nuk do të marrë pjesë as në stërvitjet e të hënës që janë caktuar për orën 17:30.

Pas këtij veprimi të superyllit argjentinas, Barcelona i ka dy opsione që mund t’i ndërmarrë në ditët në vijim: I pari, ta gjobitë Messin për shkelje të pikave të kontratës së tij duke mos u paraqitur në pune dhe i dyti, të fillojë me procesin për lirimin e lojtarit nga kontrata.

Njëherësh, në pozitë të palakmueshme është vënë presidenti Josep Maria Bartomeu, duke qenë se ai nuk dëshiron të mbahet mend si presidenti që e shiti lojtarin më të mirë në histori të klubit.

Në ndërkohë, futbollisti dhe ekipi i tij ligjor shpresojnë ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë miqësore pa pasur nevojë që të shkojnë nëpër gjykata. /Telegrafi/


Mendoni se Barcelona duhet ta realizojë kërkesën Lionel Messit apo duhet t’i zbatojë pikat e kontratës? Shprehuni në hapësirën për komente.