Site icon Telegrafi

Konflikti i armatosur në Prishtinë, Haxhiu: E papranueshme që grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë

Një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë mes dy grupeve, familjes Sekiraqa dhe Capat, që ndodhën të dielën mbrëma në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.

Për këtë rast është deklaruar sot ministrja e Drejtësisë, Albula Haxhiu. Ajo ka thënë se është e papranueshme që grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë.

“Në këtë rast ju inkurajoj që të drejtoheni në prokurorinë përkatëse, gjykatën kompetente. Ajo që doja të thosha unë është që për mua është e papranueshme që kriminelë e grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin”, tha ministrja.

Haxhiu u ka bërë thirrje institucioneve që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë dhe siç tha ajo, që të mos lejojë kriminelë e grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla.

“I bëj thirrje secilit institucion që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë, të mos lejojnë kriminelët dhe grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm. Është tejet e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata të cilët kryejnë detyrat që kanë”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/

Exit mobile version