Telegrafi

Konfiskohen mbi 5 kilogramë heroinë në Gjilan, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka njoftuar se me datën 24.11.2018 Drejtoria për Hetimin me Narkotikë (DHTN), përmes rrugëve operative ka pranuar informacionin se në një shtëpi në rrugën “Gazmend Zajmi” në Gjilan, do të bëhet shitblerje e substancave narkotike.

“Pas verifikimit të informacionit dhe identifikimit të lokacionit të saktë, në konsultim me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, rreth orës 20:15 është kontrolluar ( bastisur) një shtëpi, në bodrumin e së cilës janë gjetur 5 kg. e 155 gramë substancë narkotike e llojit heroinë e cila ka qenë e paketuar në 5 paketime, e vendosur në një valixhe sportive.

Lidhur me rastin është arrestuar personi i dyshuar:

•SH .Z, shtetas kosovar

Pas hetimeve fillestare është arritur të kuptohet se në rast është i përfshirë edhe një person shtetas i Serbisë i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në njoftimin për media.

Substancat narkotike janë sekuestruar, ndërsa personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë sipas urdhrit të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore për Krime të Rënda në Gjilan.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative në vend. /Telegrafi/