Site icon Telegrafi

Konfiskohen mbi 19 kilogram marihuanë në Prizren – arrestohet i dyshuari

Një person është arrestuar këtë të mërkurë pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Prizren, policia ka arritur të gjejë dhe konfiskojë 19 kilogram e 546 gram marihuanë.

Policia njofton se i dyshuari është A.Q (viti i lindjes 1983).

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetim e Trafikimit me Narkotik-Sektori Qendror, kanë trajtuar një informacion për posedim të lëndëve narkotike nga një i dyshuar. Kështu, pas hetimeve paraprake, kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin; A.Q., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar), kanë arritur ta lokalizojnë shtëpinë e tij dhe sot, më 21.12.2022, pas plotësimit të procedurave për kontroll nga organet e drejtësisë, në ora 12:27 është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit”.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë 19 kg 546 gr substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë”, thuhet në komunikatën për media.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Pas intervistimit, me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/

Exit mobile version