Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit për dhjetë persona të dyshuar, përfshirë pronarin e një kafeterie dhe nëntë të tjerë, të cilët dyshohen për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Kërkesa për paraburgim ka ardhur pas një operacioni policor që ka çuar në arrestimin e të dyshuarve të përfshirë në aktivitete të paligjshme në Suharekë.
Sipas Prokurorisë, më 28 shkurt 2025, në orën 23:00, gjatë një operacioni në kafeterinë “R.G.Z” në Suharekë, janë gjetur prova të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Pronari i kafeterisë, L.R., dyshohet se ka organizuar dhe marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit, duke përdorur lokalin për këtë qëllim, në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë sekuestruar 208 letra, 96 kartela me mbishkrimin AliExpress me barcode, të cilat dyshohet se janë kartela për lojërat e fatit online si dhe një shumë prej 15.260 eurosh dhe 1.200 franga zvicerane.
“Gjithashtu, tek i pandehuri L.R., – pronari i lokalit të lartcekur janë gjetur letra në sasi prej tremijë e treqind e njëzet e gjashtë (3326 copë), të cilat janë përdorur për lojë bixhozi natën kritike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të dyshuarit, përfshirë L.R., P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., janë arrestuar dhe ndodhen në ndalim 48-orësh që nga 1 marsi 2025.
Ata dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje dhe kanë shkelur rregullat e ligjit për organizimin e lojërave të fatit të paligjshme.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në luftën kundër kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke e siguruar se do të vazhdojë të ndërmarrë hapa të tjera për ndëshkimin e atyre që bien ndesh me ligjin. /Telegrafi/