Telegrafi

Konfiskohen gjashtë armë, në tri raste të ndara (Foto)

Policia e Kosovës një ditë më parë në tri raste të ndara ka konfiskuar gjashtë armë zjarri, si dhe fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Aksioni i parë është realizuar nga njësitet policore të stacionit të Lipjanit, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të një personi të dyshuar me inicialet A. R, 62 vjeç, të cilit i është gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz Ecol Special 99.

Konfiskimi i armës është bërë  në fshatin Banullë të Lipjanit, ku në një aheng familjar ka pasur të shtëna me armë.

Rasti i dytë ku janë konfiskuar dy revole ka ndodhur në Prishtinë.

“Për veprën mbajtje në pronësi kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës si dhe posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope apo analoge është arrestuar një person i dyshuar me inicialet F. M,  mashkull, 30 vjeç, të cilit i janë gjetur dhe konfiskuar një revole e tipit Zastava 9mm, një revole Tanfoglio Gjuzepe, dy  karikator, 12 fishekë si dhe  një sasi e vogël e substancës s dyshuar narkotike (marihuana)”, thuhet në njoftim.

Personi i dyshuar pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Ndërsa, rasti i tretë, që fillimisht është  iniciuar si rast kanosje në stacionin policor të Fushë Kosovës, ku personi i dyshuar me inicialet Sh.I, 37 vjeç, është arrestuar nga ana e policisë për sulm dhe kanosje me armë.

Rasti është trajtuar në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit i cili ka urdhëruar konfiskimin e tri armëve një revole e tipit Beretta,  dy pushkë gjuetie (të dyja me leje) si dhe 17 fishekë.

Po me urdhër të prokurorit të shtetit personi i dyshuar, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Ndryshe, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, nga njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë janë konfiskuar 239 armë, 2584 municione të llojit dhe kalibrit të ndryshëm, dhe janë iniciuar 194 raste Mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve. /Telegrafi/