Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, me datën 23.01.2019, me urdhëresë të gjykatës, ka realizuar bastisje në dy shtëpi dhe lokale tjera përcjellëse në Malishevë dhe në fshatin Mirushë të kësaj komune.
Sipas një njoftimi të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, gjatë punëve operative, Policia në Malishevë ka marrë informacione se disa persona posedojnë armë të mbajtura pa leje.
Kështu, siç thuhet tutje gjatë operacionit policor të bastisjes janë arrestuar: F. Th. lindur me 1985 m/k/sh; F. Th. lindur me 1964 m/k/sh;
Po ashtu, shtohet në njoftim, gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar: tri armë automatike AK-47; tre karikatorë të armëve automatike AK-47; një armë automatike lloji i paidentifikuar me një karikator; një pistoletë e kalibrit 7.62 mm, me një karikator dhe 8 fishekë të kalibrit të njëjtë; si dhe një sprej.
“Me datën 22 janar 2019 Stacioni Policor në Gjakovë ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Meje të Gjakovës. Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur personin e dyshuar, i cili pohon se ka shtënë me armë zjarri në ajër në një aheng familjar”, thuhet në njoftim, duke shtuar se policia ka arrestuar personin e dyshuar me të dhënat: N. P. lindur me 1963 m/k/sh dhe ka sekuestruar armën e llojit: një pistoletë 9 mm, prodhim jugosllav.
“Lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit, pas
përfundimit të procedurave policore, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt dhe
ndaj tyre Policia do të ngrit kallëzim penal”, përfundohet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë. /Telegrafi/