Telegrafi

Konfiskohen 83 kilogramë drogë, arrestohen tre persona (Video)

SONY DSC

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, me datën 28 tetor 2016, pas hetimeve disa mujore ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për veprën penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarja e  paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose  analoge’.

Operacioni policor është realizuar në komunën e Deçanit, konkretisht në fshatin Rastavicë, ku pas kontrollit të ushtruar nga njësitet relevante policore është gjetur sasi e konsiderueshme e narkotikëve e llojit marihuanë. Me këtë rast janë arrestuar shtetasit e Kosovës, U. K. (1971),  E. K. (1997),  E. A. (1997).

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokacionin e cekur në një hapësirë fushore si dhe në veturën e njërit nga të dyshuarit, zyrtarët policor kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej rreth 83 kg e 550 gr. substancë narkotike e llojit marihuanë.

Po ashtu në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura të markave të ndryshme (një me targa të Shqipërisë dhe dy me targa të RKS), si dhe  pesë telefona celular.

Ky operacion policor është mbështetur edhe nga njësitet tjera relevante policore të njësiteve të reagimit të shpejtë, njësiteve patrulluese dhe forenzikes nga rajoni i Pejës.

Me vendim të prokurorit kompetent të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit pre 48 orëve.

Droga besohet se ka ardhur nga Shqipëria dhe për vendshitje besohet se caku kanë Austria dhe Gjermania. /Telegrafi/