Shkencëtarët kanë identifikuar personin e dytë që u shërua nga HIV pa trajtim mjekësor, sipas një artikulli të publikuar të hënën në Annals of Internal Medicine.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, pacientja, një grua e paidentifikuar që jeton në Argjentinë, u diagnostikua me virusin e mungesës së imunitetit njerëzor në vitin 2013.
Që nga viti 2017, një ekip ndërkombëtar studiuesish po shqyrtojnë ADN-n e pacientes në kërkim të gjurmëve të virusit. Ata madje kontrolluan placentën e saj pasi ajo kreu lindje në vitin 2020. Pas ‘renditjes’ së miliarda qelizave, shkencëtarët kanë konfirmuar se gruaja është e shëruar nga virusi HIV.
Mjekësia moderne ka bërë të mundur që shumë njerëz të jetojnë me virusin nën kontroll, por ata zakonisht kërkojnë terapi të qëndrueshme antiretrovirale për të parandaluar riprodhimin e virusit.
Katër persona në histori janë raportuar të “shëruar” nga HIV. Megjithatë, dy prej tyre – “Pacienti i Berlinit” dhe “Pacienti i Londrës” u shëruan pas transplantimit të qelizave staminale, një procedurë e rrezikshme që shkencëtarët janë përpjekur ta përsërisin me pacientë të tjerë, pa sukses.
Vetëm një here më pare shkencëtarët kanë gjetur një rast të konfimuar të një personi që u pastrua plotësisht nga virusi. Në vitin 2020, shkencëtarët kanë ndarë një raport për Loreen Willenburg – ose “Pacienten e San Franciskos”, siç e quajtën mjekët – që njihej si rasti i parë i njohur i një kure sterilizuese pa ndërhyrje mjekësore.
Willenburg dhe pacientja e paidentifikuar në Argjentinë njihen si “kontrolluesit elitë”, një nëngrup i vogël i pacientëve me HIV, sistemi imunitar i të cilëve natyrshëm e ‘shtyp’ virusin.
Pacientja argjentinase njihet si “Pacientja Esperanza”, pasi vjen nga qyteti Esperanza. Ajo ka një vajzë, e cila nuk është me HIV; gruaja është në pritje të një fëmije të dytë me partnerin e saj. /Telegrafi/