Telegrafi kishte raportuar ekskluzivisht për mos aktivizimin e Astrit Selmanit në ndeshjet e muajit shtator për Kosovën.
Redaksia jonë kishte kuptuar se sulmuesi nga Kosova nuk kishte pasaportë dhe nuk kishte të drejtë të luaj.
Tani ky lajm i Telegrafit është konfirmuar edhe nga menaxheri i Kosovës, Bajram Shala dhe trajneri Bernard Challandes.
Shala fillimisht ka thënë se Kosova nuk ka rrezikuar asgjë me mosaktivizmin e Selmanit në fushë.
“Kosova nuk ka rrezikuar asgjë dhe për këtë arsye Astrit Selmani nuk ka luajtur sepse ka qenë në bankën e rezervistëve”.
“Selmani tani e ka marrë pasaportën dhe është gati për ndeshjet e këtij muaji. Nëse një lojtar që nuk e ka pasaportën dhe nuk luan nuk ka asnjë rrezik apo penalizim”, tha Shala.
Tutje trajneri Bernard Challandes ka folur se pse Selmani ka dalë në nxehje kur nuk ka pasur të drejtë loje.
“Astriti ishte me ekipin dhe ishte shumë i lumtur që ka stërvitur me ekipin. Nuk ka qenë e lehtë për të kur e ka kuptuar se nuk do të luajë, por ai ka dashur të jetë me pjesën tjetër të ekipit dhe të stërvitet. Natyrisht, ka qenë i dëshpëruar por ka qenë e pamundur të luajë”.
“Unë jam kritikuar se nuk e kam futur, por situata ishte e tillë. Me rëndësi, është që Selmani të jetë pjesë e integruar e ekipit. Deri në momentin e fundit kemi pritur që të pajiset me pasaportë, por nuk ndodhi. Kështu që, tani është gati”, /Telegrafi/