Site icon Telegrafi

Konfirmohet aktakuza ndaj deputetit Valon Ramadani, ngarkohet me dy vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.

Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare. Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar dhe të pambështetur në gjendjen reale kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani.

Sipas këtij vendimi, gjykata ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

Tutje, në vendim thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet esenciale të veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.

“Pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës gjykata konstatoi se duhet të refuzohet kërkesa për hedhjen e aktakuzës e cekur më lartë, si e pa mbështetur në gjendjen reale dhe në provat e bashkëngjitura, ngase provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i akuzuari i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale, ndërsa provat e propozuara në aktakuzë dhe mbrojtjen e tyre gjykata do t’i vlerësojë në shqyrtimin gjyqësor, për çka kërkesa për hedhjen e aktakuzës është e pabazuar”, thuhet në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani ka thënë se vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë.

“Vlerësojmë se ky vendim i gjykatës nuk është i drejtë dhe nga ana e saj nuk janë analizuar në mënyrë të plotë argumentet e paraqitura në kërkesën e mbrojtjes”.

Ai tha se kjo mënyrë e të vendosurit në këtë fazë është bërë praktikë e gjykatës.“Është bërë një praktikë e gjykatës kur në këtë fazë, zakonisht në këtë mënyrë vendosë gjykata. Për të thënë të drejtën, e kemi pritur një vendim të tillë të gjykatës, sepse po mjafton për të kur arsyeton vendime të tilla me fazën që provat e propozuara në aktakuzë dhe vlerësimin e tyre si dhe mbrojtjes gjykata do ta bëjë në shqyrtim kryesor. Edhe në këtë rast kemi një arsyetim të tillë”, ka deklaruar Sopjani.

Në fund, avokati ka bërë të ditur se lidhur me këtë vendim do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit.Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 13 korrik, deputeti Valon Ramadani është deklaruar i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së

Exit mobile version