“France Football”, e cila e rimerr trofeun ekskluzivisht, zbulon se çfarë do të përmbajë çmimi më i kërkuar individual nga futbollistët.
Këto detaje rrjedhin nga “divorci” i bashkëautorësisë së këtij trofeu mes revistës sportive franceze dhe FIFA-s, i bërë publik të hënën. Që nga viti 2010, “Topi i Artë” u bashkua me “FIFA World Player”, duke unifikuar çmimin e madh individual në botën e futbollit, por në fund të marrëveshjes ndërmjet FIFA dhe “France Football” u provokua kthimi i çmimit tek origjina e tij, te revista e mirënjohur franceze, e cila filloi ta prezantojë “Topin e Artë” në vitin 1956, duke pasur në bazë votën e korrespondentëve të saj në të gjithë Evropën. Përmes votimit të tyre shpallej edhe lojtari më i mirë në Europë, në një vit kalendarik.
Pra, për këtë edicion (viti 2016), çmimi rimëkëmbet me disa detaje të identitetit të vet. Votimi do të përcaktohet nga një listë prej 30 lojtarësh, jo 23, siç ka ndodhur në vitet e fundit. Lista e shkurtër e finalistëve do të shpallet gati një muaj para se të jepet çmimi. Në fund, do të mbeten tre kandidatë, që nuk do të udhëtojnë më drejt Cyrih-ut, për të marrë pjesë në galanë vjetore të FIFA-s, transmeton telesport.
Çmimi, gjithashtu, ndryshon edhe datat. Në vitet e fundit është dorëzuar të hënën e dytë të muajit janar, menjëherë pas Krishtlindjeve. Tani do të dorëzohet më vonë, ndoshta në Paris, siç ishte zakon, kur “France Football” e organizonte e vetme çmimin. “France Football” kishte shitur të drejtat për bashkëautorësi të çmimit te FIFA në shkëmbim të 15 milionë eurove. Kjo ishte shuma që mori revista franceze nga FIFA për pesë vjet, nga viti 2010 deri në vitin 2015. Trofeu u quajt “FIFA Golden Ball”.