Të paktën 20 pacientë janë konfirmuar me Flurona në Shqipëri gjatë qarkullimit të variantit Omicron të coronavirusit dhe gripit të stinës.
Prekja nga Covid -19 dhe gripi njëkohësisht është verifikuar nga Instituti i Shëndetit Publik pas analizave të kryera.
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini është shprehur për A2 CNN se të prekurit me Flurona kanë kërkuar trajtim spitalor për shkak të rëndimit të shëndetit nga mbivendosja e dy sëmundjeve.
Edhe pse vala Omicron është në zbehje, Tomini shton se ky variant vijon të jetë në qarkullim ashtu sikurse Delta dhe virozat respiratore.
Për drejtoreshën e ISHP-së, vaksinimi mbetet procesi i rëndësishëm për të shmangur format e rënda nga Covid-19. Por me kalimin e pikut të pandemisë është ulur ndjeshëm interesi për vaksinën anti-Covid tek të gjitha moshat.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë përmes marrëveshjes me Pfizer do të blejë 1 milion doza të tjera për këtë vit, nga të cilat 300 mijë pritet të mbërrijnë në mars. /Telegrafi/