Site icon Telegrafi

Konfirmimi i disa rasteve të Kollës së mirë në Kosovë, flet drejtori i Klinikës Infektive

Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK

Në Klinikën e Infektives në QKUK, nuk ka raste të rënda me sëmundjen ngjitëse Pertusis. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), javën që lëmë pas ka regjistruar tetë raste të konfirmuara të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja. Ndërsa, në Infektivë janë regjistruar vetëm dy-tre raste.

Pertusisi që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes.

Mënyra më e mirë për të tejkaluar këtë sëmundje është vaksinimi, prandaj IKShPK u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj ka thënë se kjo sëmundje nuk paraqet ndonjë rrezik të madh për jetën e pacientëve sepse fal vaksinimit, ende nuk është regjistruar në QKUK ndonjë rast i rëndë.

“Paraqitet me një kollë e cila zgjatë, ka kollitje jo të zakonshme dhe në disa raste në fund përfundon me të vjellura. Është karakteristik e moshave fëmijërore, dhe këta fëmijë të atakuar me këtë sindromë, kanë një kollë e cila është shumë intensive dhe fëmijët mavijosen dhe në momentet e fundit mund të përfundojnë edhe me të vjellura. Në kohën kur ne e hetojmë në periudhën e vaksinimit, nuk paraqet ndonjë rrezik shumë të madh për jetën e pacientëve sepse fal vaksinimit, ne nuk kemi regjistruar raste të formave të rënda”, ka thënë Vishaj për kp.

Lexo po ashtu IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Vishaj ka shtuar se ekziston mënyra e përhapjes së kësaj sëmundje, pasi që ka prindër që kanë hezituar që të vaksinojnë fëmijën e tyre.

“Fëmijët të cilët janë të pavaksinuar, në çoftë se bien në kontakt me fëmijë apo persona të cilët e kanë manifest pertusisin, mund të vjen deri te infeksioni i tyre, sepse rruga e përhapjes është përmes spërklave. Vaksinimi është mënyra më e mirë dhe fal një programi të vaksinimit të udhëhequr nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, popullata jonë në përgjithësi është e vaksinuar, është e mundur që ndonjëri nga prindërit ka hezituar që ta vaksinojë fëmijën e tij dhe mundësia e përhapjes së infeksionit ekziston. Ne nuk kemi pasur në Klinikën Infektive, manifestime të Pertsusit, fëmijë të cilët kanë pasur kërkesë, kemi pasur raste sporadike, ndoshta dy tre raste”, ka shtuar ai.

Simptomat e kësaj sindrome zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë.

Exit mobile version