Sot dhe nesër në Shkup do të organizohet konferenca shkencore ”Hulumtim i zhvillimit të ndërmarrjeve në Ballkan”, me pjesëmarrës nga Kosova dhe Shqipëria, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Aktiviteti organizohet nga ”Reaktor – hulumtimi në veprim” në bashkëpunim me ”Public” dhe ”Connect” nga Maqedonia, ”Partners Albania” nga Shqipëria dhe Qendra për paqe dhe tolerancë nga Kosova.
Këto organizata e kanë zbatuar, së bashku, hulumtimin ”Sfidat dhe mundësitë e ndërmarrjeve sociale për punësimin e personave të margjinalizuar”, të mbështetur nga Programi rajonal për promovim të hulumtimeve në Ballkanin Perëndimor.
Në konferencë do të prezantohen hulumtimet më të reja që lidhen me zhvillimin e ndërmarrjeve sociale në rajon, por do të vendosen edhe themelet e Rrjetit Ballkanik të hulumtuesve në sferën e ndërmarrjeve sociale.
Projekti mbështetet nga Programi rajonal për promovim të hulumtimeve në Ballkanin Perëndimor, në bashkërendim me Universitetin e Friborgut në Zvicër dhe mbështetur financiarisht nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC)./Telegrafi/