Telegrafi

Konferencë në fshehtësi e Panuccit: Skuadra do të rikthehet konkurruese në Ligën e Kombeve

Christian Panucci (Foto: Getty Images)

Disfata e dytë në po aq miqësore e ka shtuar presionin te trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci, aq sa konferencën e programuar para gazetarëve ta zhvillonte në një qoshe të hotelit ku qëndroi ekipi kuqezi.

Në mënyrë thuajse të fshehtë dhe me pyetje të përgatitura, italiani u rrëfye për humbjen e radhës në stadiumin e Evianit, e këtë e bëri në orët e para të së hënës – transmeton Top Channel.

Christian Panucci (Foto: Getty Images)

“Nuk ka asgjë kaq të rëndë dhe katastrofike siç duan të duket. Bëmë dy ndeshje negative, sepse skuadrës i mbaroi benzina, pasi nuk jemi Brazili apo Franca”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Christian Panuccin

“Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn Grezdën, Sadikun. Mavraj ka pesë muaj që s’luan. Ukraina kishte futbollistë të Shakhtarit dhe Dinamos, pra me kualitet të ndryshëm”, citohet të ketë thënë Panucci.

Ai ka premtuar se pas pushimeve, kur ndeshjet të vlejnë vërtet pikë, gjithçka do të ndryshojë.

Christian Panucci (Foto: Getty Images)

“Nuk më pëlqen të gjej justifikime, por bateritë i kishim të shkarkuara. Kishim shumë të rinj dhe ishte e drejtë të rrezikonim dhe të provonim”.

“Jam i bindur se në shtator, skuadra do të rikthehet konkurruese në Ligën e Kombeve”, ka thënë më tej trajneri italian.

Shqipëria do të nisë fushatën e saj në Ligën e Kombeve në shtator, me ndeshjet ndaj Izraelit dhe Skocisë.