Site icon Telegrafi

Konferenca e Sigurisë në Mynih, Osmani do të takohet me liderë botëror dhe do të jetë pjesë e paneleve të diskutimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë qëndrimit të saj në Mynih, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale.

Fokusi i këtyre takimeve do të jetë “forcimi i partneritetit strategjik dhe avancimi i interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Përveç takimeve bilaterale, Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.

Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që, siç thuhet në njoftim, “synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve”. /Telegrafi/

Exit mobile version