Arritja e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë është imediate dhe e nevojshme, tha Christoph Heusgen, presidenti i Konferencës së Mynihut.
Ai në një intervistë për DW në Berlin tha se tani duhen zbatuar Marrëveshjet e Brukselit dhe sidomos marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Është më urgjent se kurrë që të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.
“Ne shpresojmë tani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kemi përfaqësues të Kosovës, ku kemi përfaqësues të Serbisë, ku kemi përfaqësues edhe të vendeve që po ndihmojnë për këtë konflikt, që të bëjmë progres. Unë besoj se çfarë ka rëndësi tani është që të zbatojmë me kujdes marrëveshjet e Brukselit, që janë bërë në të kaluarën. Sipas mendimit tim, është veçanërisht i rëndësishëm realizimi i Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe në Kosovë”, tha Heusgen.
Ai kujtoi më tej se “Në Konferencën e Sigurisë në Mynih i kemi pasur në një panel si Presidentin Vuçiç dhe Presidentin Thaçi dhe unë dëshiroj që të ndodhë edhe në të ardhmen. Dhe që të pajtohemi për pyetje që, sipas mendimit tim, nuk janë pyetje themelore, dhe që të bëjmë progres në Ballkanin Perëndimor, progres, i cili është shumë i nevojshëm në këtë kohë, kur kemi përpara rreziqe të tjera”,tha Heusgen.
Konferenca e sivjetshme e Sigurisë në Mynih, që i fillon punimet të premten, më 17 shkurt, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të jetë e para që bëhet nën kryesimin e ish-ambasadorit gjerman pranë OKB-së dhe ish-këshilltarit për politikë të jashtme të Angela Merkelit, Christoph Heusgen.
Heusgen e mori kështu stafetën nga një tjetër njohës i rajonit të Ballkanit, Wolfgang Ischinger.
Konferenca është një platformë për këmbimin e mendimeve mes krerëve të vendeve të ndryshme të botës, për çështje aktuale të politikës globale. Këtë vit priten të vijnë në kryeqytetin e Bavarisë në jug të Gjermanisë rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish si edhe rreth 100 ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga vende të ndryshme të botës. Por në konferencë ka edhe shumë përfaqësues të parlamenteve, ekspertë, OJQ e diplomatë.
Programi i konferencës nuk është bërë ende publik, por sipas listës së publikuar në faqen e Konferencës, Serbia përfaqësohet vetëm nga ministrja e Evropës, Tanja Mishçeviq, ndërsa Kosova nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ballkani Perëndimor është ndër dhjetë detyrat kryesore të të ashtuquajturës Listë të detyrave Transatlantike, që përcaktuan krerët e 40 shteteve të ndryshme, në samitin e liderëve të konferencës, që u mbajt në maj 2022, në Uashington.
Ukraina në fokus
Por fokusi kryesor është padyshim Ukraina dhe ndihma ushtarake për mbrojtjen e saj nga agresori rus.
Për organizatorin e Konferencës së Mynihut, Heusgen, është e qartë, se Ukraina ka nevojë për mbështetje të gjatë dhe se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet të dalë fitimtar: “Ne duhet ta bëjmë të qartë se nëse Putin e fiton këtë luftë, ajo nuk ka mbaruar me Ukrainën. Ai dhe ministri i tij i Jashtëm, disa javë më parë, thanë se më pas e ka radhën Moldavia. Dhe pyesni vendet baltike – ata mendojnë se Putin do të kthehet edhe kundër tyre në rast se do të ketë sukses. Prandaj, ne duhet të jemi të vendosur, duhet të vijojmë të mbështesim Ukrainën dhe t’ia bëjmë të qartë edhe qytetarëve se kjo është diçka në planin afatgjatë”, tha Heusgen. /dw/