Një grup i myslimanëve në SHBA kanë arritur të mbledhin 150 mijë dollarë, për të ndihmuar familjet e viktimave në masakrën që ndodhi gjatë vikendit të kaluar brenda një sinagoge në Pittsburgh.
Në shenjë solidarizimi, organizatat jofitimprurëse “CelebrateMercy dhe MPower Change”, filluan një fushatë në Pittsburgh për të ndihmuar familjarët dhe të plagosurit e të shtënave masive që ndodhën në sinagogë ndaj hebrenjve, ku humbën jetën 11 persona, transmeton Telegrafi.
Ky grup i myslimanëve u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim besimi dhe nacionaliteti, t’i ndihmojnë në mbledhjen e një shume të parave që dedikohen për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të masakrës në sinagogën “Tree of Lifie”.
“Me këtë kampanjë synojmë të dërgojmë mesazhin e unitetit nga hebrenjtë dhe komuniteti mysliman, pasi urrejtja dhe dhuna nuk duhet të kenë vend askund”, thuhet në faqen ku po mblidhen donacionet.
CelebrateMercy tashmë ka filluar të transferojë fondet tek partneri lokal, “Qendra Islamike” në Pittsburgh. Paratë dedikohen për familjarët e viktimave, të plagosurit si dhe për shpenzimet e mjekimit si dhe të ceremonisë së varrimit.
Të dielën, Wasi Mohammed nga “Qendra Islamike” në Pittsburgh, ka njoftuar se komuniteti mysliman ka mbledhur 70 mijë dollarë për të ndihmuar komunitetin hebrenj, veprim ky që u duartrokit nga të gjithë.
“Duam të dimë se për çfarë keni nevojë. Nëse keni nevojë për para, na njoftoni”, ka shtuar Mohammed. Qëllimin për t’i grumbulluar 150 mijë dollarë, e arritën për vetëm 24 orë.
Ndryshe, Robert Boëers, 46-vjeç është paraqitur në bankën e të akuzuar në Pittsburgh, mbi të cilin rëndojnë 29 vepra penale. Ai ishte futur në sinagogë dhe pa u menduar dy herë kishte filluar të shtie mbi besimtarët hebrenj ku 11 personi i la të vdekur në vend. /Telegrafi/