Pengimi për eksportin e miellit të Kosovës për në Shqipëri dhe keqkuptimi ndërmjet këtyre dy shteteve, vijnë si pasojë e mungesës së komunikim të duhur në mes të Qeverive të këtyre dy shteteve, kështu vlerëson instituti GAP.
GAP rekomandon zbatim sa më të shpejtë të krijimin e grupeve të përbashkëta punuese në fushat e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit të cilët do të punonin në harmonizimin e legjislacionit.
Në një komunikatë të dërguar nga GAP, më tutje thuhet se edhe pse në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë nënshkruan Marrëveshje Kornizë me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe lehtësimin e tregtisë, një gjë e tillë nuk është respektuar.
Më tutje, në këtë analizë janë të përmendura në mënyrë kronologjike detajet që nga hera e parë e bllokimit të miellit, e cila ka ndodhur dy vite më parë, e deri më tani.
Me rastin e bllokimit të miellit, sipas GAP, pala shqiptare kishte shkelur edhe pjesën e marrëveshjes sa i përket informimit dhe lajmërimit të palës tjetër.
Ndryshe, dje në një konferencë të organizuar nga përfaqësuesit e bizneseve, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Amerikane e Kosovës, si dhe shoqata e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, ku prezent ishte edhe ministri Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, u dha lajmi se mielli kosovar ka filluar të bllokohet përsëri në doganën e Shqipërisë. /Telegrafi/