Komunikacioni hekurudhor në Maqedoni prej dje është në ndërprerje, për shkak të grevës së të punësuarëve në Hekurudhat e Maqedonisë, të cilët kërkojnë pagesë të rrogës së tyre për muajin janar të këtij viti, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i Sindikatës së pavaruar të makinistëve dhe punonjësve të hekurudhave, Llatko Jovanovski, paradite deklaroi se në hekurudhat e Maqedonisë tërësisht në ndërprerje është qarkullimi i trenave transportues dhe udhëtues.
Hekurudhat e Maqedonisë SHA Transport – Shkup, dje informoi se të punësuarve do t’ua paguajë menjëherë pjesën e dytë të pagës për dhjetorin e vitit 2016, ndërsa deri në fund të muajit do ta paguajë edhe pagën e janarit për vitin 2017.
“Pjesa e dytë e dhjetorit është paguar, kërkojmë pagesë për muajin janar”, deklaroi sot Jovanovski, duke shtuar se për grevën kanë përkrahje nga sindikatat tjera të hekurudhës./Telegrafi/