Site icon Telegrafi

Komunat në veri marrin rreth 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës

Për 2015, komunat në veri kanë në dispozicion nga buxheti i Republikës së Kosovës 10.8 milionë euro. Prej kësaj shume mbi 6.2 milionë euro janë paraparë të shpenzohen për paga. Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Instituti GAP titulluar, “Qeverisja në katër komunat e veriut të Kosovës”.

Komunat e veriut të Kosovës përveç buxhetit që tërheqin nga Republika e Kosovës në formë të granteve për komuna, ato tërheqin edhe projekte nga ministritë e linjës të Qeverisë së Kosovës, donacione ndërkombëtare dhe të hyra nga Serbia. Komunat e veriut, njësoj sikur komunat tjera të Kosovës, pranojnë buxhet nga Qeveria e Kosovës për paga, për mallra dhe shërbime, për investime kapitale, subvencione dhe për shpenzime komunale.

“Për dallim nga komunat e tjera të Kosovës të cilat realizojnë të hyra komunale, komunat e veriut janë paraqitur vetëm shpenzues të buxhetit, por jo edhe si institucione që kontribuojnë në të hyra. Gjatë vitit 2014 katër komunat e veriut kanë realizuar të hyra në total 70 mijë euro. Këto të hyra janë realizuar nga Zyra komunale për komunitete që udhëhiqen nga shqiptarët. Këto zyre funksionojnë jashtë objekteve të komunës”, thuhet në publikim.
Sipas raportit, në katër komunat e veriut të Kosovës në nivel lokal figurojnë 1,730 persona që tërheqin pagë nga buxheti i Kosovës. Numri më i madh i atyre është në Komunën e Mitrovicës së Veriut me 747 persona.

“Pjesa më e madhe e këtij stafi tërheq nga dy paga për punën e njëjtë që bëjnë, njërën pagë e paguan buxheti i Kosovës dhe një pagë e tërheqin nga Qeveria e Serbisë”, thekson GAP-i.

Përveç kësaj, sipas publikimit, për këto komuna është formuar edhe “Fondi zhvillimor për Veriun”, i cili mbushet kryesisht nga të hyrat doganore nga pika 1 dhe 31 (Bërnjak dhe Jarinjë). Nga janari 2014 deri në gjysmën e dytë të muajit korrik 2015 në ketë fond janë derdhur 6.5 milionë euro.

Fondi ka xhirollogarinë në një nga bankat që operojnë në Kosovë. Në pikë-kalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, doganat gjatë vitit 2014 kanë zhdoganuar mallra në vlerë 4.6 milionë euro dhe të gjitha këto para janë dedikuar në Fondin për veriun e Kosovës.

Ndërsa nga janari deri gjysmën e dytë të muajit korrik të vitit 2015 nga pikë-kalimin kufitar 1 dhe 31 janë dedikuar në Fondin e veriut rreth 2 milionë euro. Nga kjo rezulton se Fondi për veriun deri në korrik të 2015 ka në dispozicion 6,522,299.

Ndërsa, përmbajtja e mallrave që kanë hyrë në pikën 1 dhe 31 sipas Doganave të Kosovës kryesisht kanë qenë ushqimore, por ka pasur trend të rritjes edhe të mallrave ndërtimore, të tekstilit dhe pasjeve mekanike dhe teknike dhe sasi krejtësisht e vogël e zhdoganimeve të derivateve. /Telegrafi/KosovaLive/

Exit mobile version