Site icon Telegrafi

Komuna refuzon rishqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2015

Autoritetet komunale të Prishtinës nuk do ta përfillin rekomandimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, e cila nuk i ka pranuar projektbuxhetin komunal 2015, të miratuar nga Kuvendi Komunal, në mbledhjen e fundit të rregullt.

Këtë e ka pohuar edhe zëdhënësja e Komunës, Miranda Muallafazliu-Bejta, të martën, duke u bazuar në deklaratat e kreut komunal të Prishtinës. Ajo ka theksuar se Komuna e Prishtinës po e pret konstituimin e Parlamentit të Kosovës.

“Pas konstituimit, në Parlamentin e Kosovës do të vendoset nëse do të miratohet apo jo buxheti i planifikuar nga qeverisja komunale e Prishtinës”, ka thënë Mullafazliu-Bejta, duke dhënë të kuptohet se kërkesa e MEF-it që çështja e buxhetit duhet të shtrohet edhe një herë nga Komuna e Prishtinës nuk do të zbatohet.

“Projektbuxheti për Komunën e Prishtinës nuk e ka respektuar tavanin e të hyrave dhe të shpenzimeve të parapara në qarkoret buxhetore 2015/1 dhe 2015/2 me të cilat janë përcaktuar lartësia e të hyrave dhe shpenzimeve për Komunën e Prishtinës”, është përgjigjja që gazeta e ka marrë të martën nga Zyra për marrëdhënie me publikim e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, duke i shpjeguar arsyet e mosaprovimit të buxhetit komunal të Prishtinës, pavarësisht që ai është miratuar në Kuvendin Komunal, shkruan Koha Ditore. /Telegrafi/

Exit mobile version