Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar sot fshatin Murgull ku janë duke u zhvilluar punime për sanimin e dëmeve në rrugë të shkaktuara si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.
Kryetari i Komunës, Agim Veliu gjatë qëndrimit në Murgull tha se Komuna ka intervenuar menjëherë, pas marrjes së informatës.
“Ne si Komunë kemi vepruar në mënyrën më të shpejtë me qëllim të sanimit të pjesëve ku ka ndodhur shembja e dheut, në mënyrë që të evitohet rreziku i shkaktimit të ndonjë aksidenti në këtë rrugë, sepse këtu kemi të bëjmë me teren malor dhe ku qarkullojnë edhe automjete transportuese”, tha kryetari Veliu
Kryetari Veliu ka shtuar se përgjatë rrugës që lidhë fshatin Murgull me fshatin Brecë, kishte tri shembje të dheut.
Kompania e kontraktuar nga Komuna e Podujevës është duke zhvilluar punimet, me qëllim të krijimit të një baze më të fortë, pasi që shembjet kanë qenë afër shtratit të lumit Llap.