Telegrafi

Komuna e Skenderajt tregon vlerën e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet

Komuna e Skenderajt njoftoi të enjten se 11 milionë e 815 mijë e 277 euro e 69 cent është vlera e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e 19 janarit të këtij viti.

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Inovacion dhe Turizëm në këtë komunë, Besarta Meha-Ademi, tha se vlerësimi i dëmeve është bërë nga Kuvendi Komunal në një seancë të jashtëzakonshme.

Siç bëri të ditur ajo, dëmet janë shkaktuar në ekonomitë familjare, biznese, vetura, bujqësi, arsim, institucione e infrastrukturë publike.

Lexo po ashtu Qeveria e komunat hedhin "topin" te njëra-tjetra, qytetarët peng i burokracive institucionale

“Kuvendi Komunal i Skenderajt ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e 19 janarit të këtij viti”, shkroi Meha-Ademi në Facebook.

“Dëmi i shkaktuar nga vërshimet është 11,815,277.69 euro (njëmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëmbëdhjetëmijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë euro e gjashtëdhjetë e nëntë cent), në ekonomitë familjare, biznese, vetura, bujqësi, arsim, institucione publike dhe infrastrukturë publike”.

Tutje, ajo bëri të ditur se pas diskutimeve në këtë pikë dhe sqarimeve raporti është miratuar me shumicë votash.

“Pas këtij procesi, raporti përfundimtar do t’i dërgohet nivelit qendror, për përkrahje financiare në kompensimin e dëmeve të shkaktuara”, përfundoi ajo. /Telegrafi/