Telegrafi

Komuna e Prishtinës ndan 350 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë

Foto: Ilustrim

Komuna e Prishtinës ka ndarë 350 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë.

Sipas njoftimit të komunës, trajtimi i qenve endacak do të ndahet në shtatë grupe ku do të përfshihen të gjitha lagjet e kryeqytetit dhe zonat rurale.

“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidat do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidat të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të ri ekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”, thuhet në njoftim.

Kuvendi Komunal të enjten e 5 majit ka hapur tender për këtë çështje.

Afati i fundit për pranim të tenderëve është 23 maji, 2022.

Lexo po ashtu Pikat ushqyese nuk i zbusin qentë endacakë në Prishtinë, ata po kafshojnë njerëz

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem permanent me të cilin përballet Prishtina, por edhe qytetet e tjera në Kosovë.

Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës të dërguara në adresë të Telegrafit, 41 qytetarë janë sulmuar nga qentë endacakë në Prishtinë dhe po aq kanë pësuar lëndime trupore, vetëm gjatë periudhës janar-mars 2022. Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2021 janë sulmuar gjithsej 89 qytetarë, ndërsa prej tyre 69 kanë marr lëndime. /Telegrafi/