Telegrafi

Komuna e Prishtinës mohon se ka prishje në Parkun e Gërmisë, thonë se janë duke bërë disa renovime të këndit të lodrave

Komuna e Prishtinës ka mohuar se në Parkun e Gërmisë ka prishje në këndin ku janë të vendosura lodrat për fëmijë.

Telegrafi para disa ditësh kishte raportuar për disa ankesa që kanë qytetarët me këtë pjesë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për shkak të prishjeve.

Drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Donika Çeta, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë duke bërë renovime dhe do të bëjnë zëvendësimin e lodrave.

“Në lidhje me ankesat e qytetarëve për dëmtimet në Parkun e Gërmisë, ju njoftojmë se pretendimet e ngritura nuk janë të sakta. Procesi i renovimit të këndit të lodrave në park ka nisur pas kërkesave të vetë qytetarëve, pasi lodrat ekzistuese ishin të dëmtuara rëndë dhe paraqisnin rrezik për sigurinë e fëmijëve. Pas vlerësimeve të bëra nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, u konstatua se ishte e domosdoshme largimi dhe zëvendësimi i tyre, duke bërë një rinovim të përgjithshëm të këndit”, tha ajo.

Gjithashtu, Çeta tha se gjatë fazës së analizës dhe planifikimit të lodrave të reja, është treguar kujdes maksimal për të ruajtur karakterin e mbrojtur të Parkut të Gërmisë.

“Lodrat e reja janë përzgjedhur duke pasur parasysh përshtatjen me mjedisin, si për nga përbërja ashtu edhe për funksionalitetin. Aktualisht, ky kënd është në proces tenderimi, dhe punimet pritet të fillojnë në fillim të tetorit”, është shprehur ajo.

Më tej, drejtoresha ka pohuar se “fotografitë e dërguara nuk përfaqësojnë dëmtime të lodrave ekzistuese, por tregojnë largimin e dyshemesë prej gome, e cila ishte dëmtuar më parë”.

“Terreni po përgatitet për vendosjen e këndit të ri të lodrave, ku do të përdoret mulch natyral, një material organik me cilësi më të mira sesa goma e përdorur më herët, për të ruajtur ambientin”.

Ndryshe, Parku i Gërmisë vazhdon të mbetet ndër vendet më të preferuara të qytetarëve për të kaluar kohën e lirë./Telegrafi/